Drejtoresha e Departamentit të Arsimit të Lartë, Drita Kadriu ligjëroi për studentët e UBT-së

Drejtoresha e Departamentit të Arsimit të Lartë, Drita Kadriu ligjëroi për studentët e UBT-së

Drejtoresha e Departamentit të Arsimit të Lartë, në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Drita Kadriu mbajti një ligjëratë tematike për studentët dhe stafin akademik të UBT-së, në fokus të së cilës ishte niveli i arsimit të lartë në Kosovë, cilësia e përgatitja e studentëve për tregun e punës dhe roli i mësimdhënësve në ditët e sotme.

 

Duke folur për cilësinë dhe nevojën e ndryshimeve dhe reformave në arsim, Kadriu tha se në ditët e sotme kërkohet një qasje ndryshe e arsimit, pasi që, sipas saj, mësuesit nuk janë më qendra e mësimit për nxënësit, sepse ata i marrin mësimet dhe informacionet në forma tjera.


“Në ditët e sotme, roli i mësuesit është t’i bëjë të vetëdijshëm për të mësuarit si proces, se të mësuarit është në interes të individit, në mënyrë që ata të kenë një orientim konceptual të procesit zhvillimor të arsimit dhe këtë e ka mundësuar zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë”, tha ajo.

 

Kadriu vlerësoi se është e rëndësishme që studentët, duke i njohur të gjitha nivelet e të menduarit kritik, të krijojnë shkathtësi për hulumtim dhe për marrjen e vendimeve demokratike, por, sipas saj, kërkohet mobilizim i stafit akademik që këtyre koncepteve t’i japin shije të reja.


“Kosova nuk është më në fazën e tranzicionit dhe tani është koha që të hapet një debat social për cilësinë në arsim, duke dalë me rekomandime që i ndihmojnë procesit dhe që e ndërtojnë konceptualisht kahjen e sistemit të arsimit në Kosovë”, vlerësoi ajo

 

Në fund të ligjëratës, të pranishmit parashtruan pyetje që kishin të bënin me profilizimin e gjeneratave të reja nëpër drejtime studimi, për lehtësimin e procesit të përfshirjes së studentëve në tregun e punës, pastaj për problemin e shkallës së ulët të të diplomuarve, përkundër numrit të madh të të pranuarve, për nevojën e profilizimit të universiteteve dhe kolegjeve private në Kosovë etj.

Lajme