Diplomati amerikan Pope: Në Kosovë është bërë punë e shkëlqyeshme

​Diplomati amerikan Pope: Në Kosovë është bërë punë e shkëlqyeshme

Në një ceremoni të veçantë, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, e ka nderuar me çmimin “Excellence Leadership Award” diplomatin e njohur amerikan, William Pope, për kontributin e tij të madh dhënë për çështjen e Kosovës në aspektin e sigurimit të njohjeve të reja dhe për anëtarësimin e vendit në organizata të mëdha ndërkombëtare.

 

Me rastin e nderimit të diplomatit Pope, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se UBT është institucion që di të vlerësojë vlerën e personaliteteve të mëdha, e që sipas tij, në radhën e figurave të tilla renditet edhe diplomati Pope, si kontribuues dhe njohës i mirë i rrethanave të Kosovës deri në ditët e sotme.

 

“Vlerat e tij njerëzore dhe diplomatike e bëjnë diplomatin Pope një personalitet me dije dhe aktivitete të çmuara, si në SHBA, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, kurse sot ai erdhi në shtetin që po zhvillohet dhe po integrohet falë kontributit të vendit të tij, që është shtyllë ku shteti i Kosovës mbështetet në rrugëtimin e saj të gjatë drejt zhvillimit dhe integrimit”, theksoi Hajrizi.

 

Ai tha se kontributi dhe puna e pareshtur e Pope, e bënë atë anëtar të familjes sonë të madhe dhe mik të përhershëm të UBT-së. 

 

Duke u zotuar se vendi i tij do të jetë përherë mbështetës besnik i Kosovës dhe qytetarëve të saj, fituesi i çmimit “Excellence Leadership Award”, William Pope tha se në tërë karrierën e tij diplomatike, nuk ka bërë asnjëherë asgjë më të drejtë, sesa kur mori vendimin për ta mbështetur rrugëtimin e Kosovës në procesin e shtetndërtimit dhe integrimit.

 

“Ka shume shtete të reja që po krijohen nëpër botë dhe ato që janë, nuk po tregohen shumë të suksesshme, por një përjashtim të madh në këtë aspekt e bën Kosova, sepse ajo çfarë kam parë është e mrekullueshme dhe e gjitha është puna juaj, kurse ne vetëm ju kemi mbështetur”, potencoi Pope, teksa u shpreh se ndihet i impresionuar dhe i nderuar me vlerësimin që iu bë atij, përmes dhurimit të këtij Çmimi.

 

Në këtë ceremoni, i pranishëm ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili tha se rruga e popullit kosovar drejt lirisë, pavarësisë dhe krijimit të një shoqërie demokratike ka qenë e vështirë, por vullneti i pathyeshëm politik i qytetarëve të Kosovës, vetëdija e sakrificës, shpresa dhe mosdorëzimi dhe mbështetja e miqve ndërkombëtarë, veçanërisht e Amerikës, ka bërë që të gjitha proceset të tejkalohen e realizohen me sukses.

 

“Mbështetja e shteteve karshi Kosovës është e madhe, por kjo mbështetje ka emra dhe mbiemra konkretë, të cilët kanë kontribuuar në procesin e arritjes së njohjeve ndërkombëtare dhe integrimin e vendit tonë”, theksoi Hoxhaj, duke aluduar në ndihmën e ofruar nga diplomati William Pope, për institucionet e Kosovës.

 

Zv.ambasadori i Kosovës në New York, Ylber Kryeziu konstatoi se, ndonëse e ardhmja e Kosovës është në Evropë, SHBA duhet të ketë përgjegjësi të posaçme për fatin e Kosovës, të cilën do ta mbajë përmes njerëzve të saj.

 

“Është një listë e gjatë e heronjve të panjohur që punojnë për ta çuar përpara procesin e ruajtjes së paqes në botë, andaj ndonëse emri i diplomatit Pope nuk është shumë i njohur në opinionin publik, por emri i tij e ka simbolikën e angazhimit amerikan për zhvillimin dhe njohjen e Kosovës”, vlerësoi ai.

 

"Excellence Leadership Award” është Çmimi më i lartë që e dhuron UBT për personalitete të shquara vendore e ndërkombëtare, që kanë dhënë kontribut dhe kanë shënuar arritje në fusha të ndryshme.

 

UBT ka nderuar deri tash një varg personalitetesh, si humanisten austriake, Marianne Graf, zëvendëskancelari austriak dhe diplomati i shquar evropian, Erhard Busek dhe selektori i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Lajme