Kryetari i OAK-së, Havolli: Avokatët në Kosovë duhet të profilizohen

Kryetari i OAK-së, Havolli: Avokatët në Kosovë duhet të profilizohen

Një numër i konsiderueshëm i avokatëve operojnë në Kosovë. Aktualisht, mbi 700 avokatë sa janë të regjistruar në Odën e Avokatëve të Kosovës, edhe në bazë të ligjit përfaqësojnë klientët e tyre për çështjet ligjore, por, si të tillë ata aktualisht nuk janë të profilizuar për drejtimet përkatëse, ani pse organet kompetente një gjë të tillë e kanë rekomanduar kohë më parë.

 

Këto komente i ka bërë kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli, në një ligjëratë para studentëve të UBT-së, ku ndër të tjera ka theksuar se roli i avokatëve ndryshon, varësisht nga fusha e specializimit të tyre.

 

“Jemi duke bërë përpjekje që të bëhet sa më shpejt profilizimi i avokatëve. Ka shumë fusha, pra nuk duhet të shikohet avokatia vetëm në sistem gjyqësor, ngaqë kjo është gabim, sepse për avokatët profesionalë do të ketë punë gjithnjë”, ka thënë Havolli.

 

Tutje, Havolli ka theksoi se pavarësisht sfidave, Oda e Avokatëve të Kosovës për qëllim kryesor ka avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë, duke mbështetur procesin e reformave ligjore.

 

Sipas tij, OAK do të bëjë përpjekje që të vendosë standarde të larta të profesionalizmit, besimit dhe sjelljes etike për avokatët në Kosovë.

 

“Një ndër organet që luan rol të rëndësishëm është komisioni disiplinor i Odës së Avokatëve. Në rast se shkelen ligjet nga këta të fundit, ndaj atyre do të shqiptohen masa disiplinore deri në marrje të licencës”, tha Havolli.

 

Po ashtu, ai tha se në bazë të ligjit në fuqi, avokatët janë të detyruar të arsimohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të pasurojë njohuritë për ushtrimin e avokatisë në pajtim me aktet e përgjithshme të Odës.

 

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) është një organizatë vetëqeverisëse e avokatëve në Kosovë, e cila vepron si e pavarur nga organet shtetërore.

 

OAK është e përbërë nga organet dhe zyrtarët si: Kuvendi, i cili është i përbërë nga të gjithë avokatët e regjistruar dhe të licencuar; Kryetari, me një mandat dyvjeçar; Këshilli Drejtues, i cili përbëhet nga 11 anëtarë, që shërbejnë për mandat dyvjeçar; Këshilli Mbikëqyrës dhe Komiteti për Ankesa i Kuvendit të OAK-së.

Lajme