Veseli e Haradinaj bashkëbisedojnë me studentët e UBT-së

Veseli e Hardinaj bashkëbisedojnë me studentët e UBT-së

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë mbajtur një bashkëbisedim me studentët dhe stafin e UBT-së, me ç’rast kanë diskutuar për sfidat e të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke e vendosur theksin tek të rinjtë.

 

Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se vendimmarrjet dhe strategjitë politike, na ndihmojnë në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.


Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi: “Të rinjve u intereson qasja dhe vizioni, përmes të cilit do të krijohet një e ardhme më e mirë për ta dhe për gjeneratat tjera pas tyre”, vlerësoi Hajrizi.

 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli theksoi se fokusi i politikës kosovare duhet të jetë tek rinia e Kosovës, në mënyrë që, sipas tij, ata të mos ndihen më inferiorë sesa moshatarët e tyre, që vijnë nga vende të tjera të botës.

 

“Të rinjtë e vendit tonë nuk duhet të ndjehen të përjashtuar nga procesi i vendimmarrjes, por të jenë bashkëvendosës për vendin e tyre dhe të mos ndjehen të anashkaluar kur ballafaqohen me bashkëmoshatarët e tyre”, potencoi Veseli, teksa konkludoi se në një proces të tillë, rol të madh luan edhe fuqizimi dhe përmirësimi i pozitës së gruas në shoqërinë kosovare.

 

“Një shoqëri nuk mund të ec përpara nëse nuk e shton dhe nuk e njeh rolin dhe ndikimin e gjysmës së popullatës kosovare, grave”.

 

Tutje, Veseli shtroi edhe nevojën për gjenerimin e vendeve të reja të punës, me qëllim të ngritjes ekonomike dhe shtimit të përdorimit të produkteve vendore.

 

“Në mënyrë që Kosova të fuqizohet ekonomikisht, të rinjtë nuk duhet vetëm të gjejnë vende pune, por duhet të bëjnë përpjekje për të krijuar vende të reja pune për të tjerët”, tha ai, duke shtuar se UBT, duke i përgatitur studentët për tregun e punës, është në hapin e duhur në këtë aspekt.

 

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj vlerësoi se hapi i parë drejt zhvillimit të një vendi, krahas menaxhimit të mirë dhe ndërmarrësisë, mbi të gjitha është ngritja e nivelit të sigurisë.

 

“Synimi i secilës qeverisje duhet të jetë në krijimin e një vlere të re, duke e shtuar nivelin e elementit të sigurisë, kjo sepse, askush nuk investon në një vend që ka probleme me sigurinë”, konstatoi Haradinaj.

 

Duke folur për mënyrat e ngritjes së zhvillimit ekonomik, Haradinaj tha se qytetarët duhet t’i duan më tepër produktet vendore dhe në këtë mënyrë mund të zgjerohet edhe nevoja për shtimin e vendeve të reja të punës.

 

“Arsyeja se pse po kërkojmë që Beogradi të mos ndërhyjë në asnjë formë në Kosovë, nuk është vetëm për nacionalizëm, por duhet të jetë një shenjë që qytetarët kosovarë vendosin për veten dhe shtetin  e tyre”, theksoi ai, teksa bëri me dije që nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

 

Në fund të këtij bashkëbisedimi, profesorët dhe stafi i UBT-së, shtruan pyetje, të cilat kryesisht kishin të bënin me nevojën për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, përfshirë këtu edhe përcaktimin e fushave me prioritet për ekonominë kosovare, pastaj për sfidat në fushën e arsimit dhe barrierat që i hasin studentët kosovarë për të studiuar jashtë vendit, për përkrahjen e kosovarëve që jetojnë në territorin e Serbisë dhe përfshirja e çështjes së tyre në dialogun me Serbinë etj.

Lajme