Studenti i UBT-së me projekt për ndalimin e ndotjes së ajrit

Studenti i UBT-së me projekt për ndalimin e ndotjes së ajrit

Studenti i vitit të parë në drejtimin e Inxhinierisë së Energjisë në UBT, Korab Krasniqi, thotë se ka krijuar një projekt, përmes së cilit do të luftojë ndotjen masive të ajrit në nivel global. Ai i mban larg publikut detajet, por thekson se projekti i tij quhet “SPARTACUS” dhe është rezultat i bashkëpunimit të UBT-së me grupin e shkencëtarëve holandezë “Envinity Group”. 
Projekti, nëpërmjet shtimit të elektroneve, synon të neutralizojë dhe pamundësojë shpërndarjen e materieve kimike të dëmshme për shëndetin e njeriut. Po ashtu, pengon ngjitjen e kimikateve në ajër.

 

Duke folur për projektet dhe makineritë konkrete për pastrimin e ajrit, Krasniqi tha se “Envinity Group” ka krijuar një makinë për rritjen e cilësisë së tij, por e cila sipas tij, është e ndërtuar mbi ide të prapambetura që e mundësojnë vetëm filtrimin e ndotësve, por jo edhe dematerializimin e tyre.
 “’SPARTACUS’ do të shfrytëzojë makinerinë më konkrete dhe më të sofistikuar me qëllim të rritjes së cilësisë së ajrit, përmes dematerializimit dhe zhdukjes së materieve të dëmshme”, theksoi ai, duke shtuar se përkrahja e këtij projekti i ka hapur atij shteg për kryerjen e një intershipi në mesin e shumë shkencëtarëve të njohur holandezë, duke përfshirë këtu edhe studion “Roosegaarde”, me seli në Roterdam të Holandës dhe Shangai të Kinës
“Intershipi do të ketë për qëllim përmirësimin e makinerisë aktuale, si dhe realizimin e një prototipi për testim të parregullsive, gabimeve dhe problemeve eventuale, që shfaqen gjatë fazës së prodhimit”.

 

Sipas Krasniqit, projekti është i modeluar në atë mënyrë që të funksionojë ngjashëm me motorin e aeroplanit, teksa kontribut në këtë aspekt ka dhënë edhe studentja e UBT-së, Gentiana Morina, përmes vizatimeve të projektit.
“Puna e makinës do të jetë e ndarë në katër dhoma, njësoj sikur tek motori i aeroplanit, ku secila prej tyre do ta ketë një funksion të caktuar dhe një kimikate të dizajnuar vetëm për këtë qëllim”, tha ai, teksa shtoi se funksioni i tyre është ta ndajnë karbonin nga oksigjeni, t’i mbysin bakteret e mikrobet që janë në ajër, të neutralizohet arseniku, si dhe procesi fizik për pengimin e largimit të kimikateve nga makina, kështu duke qarkulluar vetëm ajri i pastër.

 

Duke treguar për mundësinë e shfrytëzimit të këtij projekti, Krasniqi tha se synohet që të përdoret nëpër tymtarët e fabrikave, si ndotës të mëdhenj të ajrit, por sipas tij, mund të përdoret edhe në funksione të tjera. 
“Qëllimi është që të largohen ndotësit që lirohen nga fabrikat nga ajri, të cilin ne e thithim, por i njëjti mund të përdoret edhe tek tymtarët e veturave”, vlerësoi ai, duke shtuar se ëndërron që emri i tij të mbetet në historinë botërore për zgjidhjen e problemit të ndotjes globale.

 

“Këto ditë jemi në luftë me ndotjen, në anën tjetër, shkencëtarët botërorë shumë pak po merren me këtë problematikë globale, prandaj kam dëshirë që unë të bëhem njeriu i parë në botë, i cili ka ndërprerë ciklin e ndotjes së vazhdueshme të ajrit”, përfundoi ai.

Lajme